Qumështorja VITA ankohet për sulme të qëllimshme, kërkon hetim nga Prokuroria

Qumështorja VITA ka reaguar duke thënë se sulmet ndaj saj po vazhdojnë, ndërsa ka kërkuar transparencë dhe hetim nga prokuroria. 

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës ka njoftuar të hënën se analizat laboratorike të kryera në Austri dhe Kosovë kanë konfirmuar praninë e aflatoksinës M1 mbi nivelin e lejuar në një seri të qumështit VITA UHT 3.2 yndyrë. 

Seria e qumështit e përfshirë në tërheqje është e paketimit 1 litër me datë prodhimi 18.07.2026 dhe datë skadimi 18.10.2027. 

Në reagim Qumështorja VITA ka thënë se që nga 2 korriku janë marrë mbi 650 mostra e janë kryer mbi 30 inspektime dhe nuk është dorëzuar asnjë rezultat. VITA ka thënë se është paraqitur vetëm një mostër prej një litri qumësht dhe është pretenduar se një lot i prodhimit ka tejkaluar kufirin e lejuar të aflatoksinës M1”, thuhet në reagim. 

“Qumështorja VITA reagon me shqetësim të thellë ndaj situatës së fundit të krijuar, pas një serie të vazhdueshme kontrollesh dhe dyshimesh të ngritura ndaj kompanisë sonë. Fillimisht u ngritën dyshime për vaj palme, por ato nuk u vërtetuan! Pastaj për qumësht pluhur, por as këto dyshime nuk u vërtetuan! Më pas për ujë pusi, por as këto dyshime nuk u vërtetuan! Tani, pas gjithë këtyre kontrolleve, paraqitet një mostër prej vetëm një litri qumësht, me pretendimin se një lot i prodhimit ka tejkaluar kufirin e lejuar të aflatoksinës M1.Për një çerek shekulli veprimtarie, VITA nuk është përballur me asnjë rast të vetëm të dëmtimit të shëndetit të konsumatorëve. Përkundrazi, jemi e vetmja fabrikë e përpunimit të qumështit në rajon e pajisur me certifikatat IFS Food, Halal Food Certificate dhe HACCP”, thuhet në reagimin. 

Qumështorja VITA ka thënë se mënyra se si po zhvillohet situata ngre dyshime serioze për trajtim të padrejtë dhe veprime të qëllimshme kundër kompanisë. 

“I bëjmë thirrje publike Prokurorisë së Shtetit që t’i shqyrtojë këto raste dhe të hetojë të gjitha procedurat, nga marrja e mostrave deri te rezultatet laboratorike dhe veprimet e institucioneve përgjegjëse. VITA kërkon transparencë të plotë, qasje në rezultatet e analizave laboratorike dhe verifikim të pavarur të mostrës së kontestuar. Konsumatorëve tanë u themi qartë: VITA qëndron pas cilësisë PREMIUM të produkteve të saj, të prodhuara me 100% qumësht nga fermerët e Kosovës. Siguria ushqimore dhe shëndeti i konsumatorëve kanë qenë dhe mbeten prioriteti ynë absolut. Ne nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë drejtësi, trajtim të barabartë dhe që e vërteta të dalë në dritë. VITA – 100% qumësht vendor. Cilësi PREMIUM. Besim i palëkundur!” – thuhet në reagim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.