
Rrjeti tepër sekret që Agjencia e Sigurisë Kombëtare e SHBA-së (NSA) e përdor për komunikimet e saj të brendshme ka dalë jashtë funksionit, sipas gjashtë personave që kanë njohuri për këtë çështje.
Rrjeti, i njohur si “NSA Net”, u mundëson punonjësve të agjencisë të shkëmbejnë informacione të klasifikuara brenda institucionit. Deri në këtë moment, nuk ka prova që ndërprerja të jetë shkaktuar nga ndonjë sulm kibernetik, thanë burimet.
Ndërkohë që agjencia po përpiqet të kuptojë përmasat e problemit, ajo ka vendosur që personeli të paraqitet në punë në orare të ndryshme, sipas burimeve.
CNN ka kërkuar koment nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare.
Një zyrtar aktual dhe një ish-zyrtar amerikan thanë se ndërprerja e funksionimit të rrjetit NSA Net nuk do të ndikonte në aftësinë e agjencisë për t’i përcjellë informacione urgjente të inteligjencës presidentit Donald Trump, ndërsa ai po udhëton në Azi me avionin presidencial Air Force One.
Të dy burimet shpjeguan se qeveria amerikane disponon disa sisteme rezervë dhe rrjete alternative, të cilat mund të përdoren për të komunikuar në mënyrë të sigurt me presidentin.
Trump aktualisht ndodhet në Filipine, ndërsa nesër pritet të udhëtojë drejt Kinës për bisedime me presidentin kinez Xi Jinping dhe presidentin rus Vladimir Putin.
Ndërprerja e funksionimit të rrjetit në agjencinë më të fuqishme amerikane të inteligjencës vjen pas një sërë problemesh të mëdha teknologjike që kanë prekur kompanitë ajrore dhe korporata të tjera në mbarë Shtetet e Bashkuara.
Të premten, të gjitha fluturimet në mbarë vendin u pezulluan për disa orë pas një dështimi masiv të sistemeve, duke shkaktuar vonesa dhe anulime të mijëra fluturimeve.
Administrata Federale e Aviacionit (FAA) konstatoi se problemi ishte shkaktuar nga një pajisje e vetme e rrjetit, e njohur si router, në shtetin e Arkansasit.
Ndërkohë, javën e kaluar, një ndërprerje masive që preku produktet e Microsoftit bëri që përdoruesit në mbarë botën të mos kishin qasje në postën elektronike Outlook dhe në takimet përmes platformës Teams.
Nuk ka asnjë tregues se ndërprerjet në sistemet e NSA-së, FAA-së apo Microsoftit janë shkaktuar nga sulme kibernetike.
Megjithatë, këto raste janë shembuj të qartë se si dështimet teknologjike mund të shkaktojnë tronditje në tregje dhe potencialisht të rrezikojnë sigurinë kombëtare.



