
Gazetarja Shpresa Hasimi ka bërë të ditur se është paditur nga Grupi KOHA, i cili kërkon prej saj kompensim financiar prej 5 mijë eurosh për shkak të largimit nga puna para përfundimit të një periudhe pesëvjeçare.
Hasimi njoftoi se, përmes avokatit Yll Zekaj dhe “DeJure Law Firm”, ka dorëzuar në gjykatë përgjigjen ndaj padisë.
Sipas saj, padia mbështetet në një dokument të quajtur “Kontratë mbi Sponsorizimin e Trajnimeve Profesionale”, të cilin e kishte nënshkruar në fillim të karrierës së saj në gazetari.
Hasimi pretendon se, para punësimit, ajo dhe kolegët e saj kishin kaluar nëpër trajnime dhe punë praktike pa kompensim financiar, ndërsa nënshkrimi i dokumentit me detyrim pesëvjeçar u ishte vendosur si kusht për t’u punësuar.
“Në kohën kur na u kërkua nënshkrimi i këtij dokumenti, isha një gazetare e re, në fillimet e karrierës, sikurse edhe kolegët e mi. Fillimisht, kishim kaluar nëpër trajnim dhe punë praktike pa kompensim financiar. Më pas, për të fituar mundësinë e punësimit, na u vendos si kusht nënshkrimi i një dokumenti që parashihte detyrime pesëvjeçare dhe një pagesë prej 5 mijë eurosh në rast të largimit para këtij afati”, ka shkruar Hasimi.
Ajo thotë se gazetarët e rinj nuk kishin qenë në pozitë të barabartë për ta negociuar përmbajtjen e dokumentit dhe se, pavarësisht rezervave të shprehura, u ishte thënë se ai nuk do të kishte efekt real.
Gazetarja e ka vënë në dyshim ligjshmërinë e marrëveshjes, duke deklaruar se nga puna ishte larguar në përputhje me afatet e përcaktuara në Ligjin e Punës.
“Ekzistenca e një dokumenti të nënshkruar, në vetvete, nuk e dëshmon ligjshmërinë e detyrimit financiar dhe as shpenzimet reale që pretendohet se janë bërë”, ka deklaruar ajo.
Hasimi ka thënë se rasti tejkalon çështjen e saj personale dhe lidhet me trajtimin e gazetarëve të rinj dhe raportin e pabarabartë të fuqisë ndërmjet një mediumi dhe punonjësve që sapo e fillojnë karrierën.
Ajo u ka bërë thirrje organizatave që mbrojnë lirinë e medias dhe kolegëve gazetarë që ta monitorojnë procesin gjyqësor.
Ndaj padisë ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, i cili e ka cilësuar veprimin e Grupit KOHA si të paprecedentë dhe jashtëzakonisht shqetësues.
Sipas AGK-së, praktika të tilla mund të krijojnë precedent të dëmshëm dhe pasiguri për profesionistët e medias, duke ua cenuar lirinë për të marrë vendime të pavarura për zhvillimin profesional dhe marrëdhënien e punës.
“AGK-ja qëndron në solidaritet të plotë me gazetaren Shpresa Hasimi dhe do ta mbështesë atë me të gjitha kapacitetet e saj institucionale dhe profesionale”, thuhet në reagim.
Përfaqësimi juridik i Hasimit po bëhet nga avokati Yll Zekaj, zyrtar ligjor i AGK-së, me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Duke theksuar se nuk dëshiron ta paragjykojë epilogun e procesit gjyqësor, AGK-ja i ka kërkuar Grupit KOHA ta tërheqë padinë.
“Shtëpitë mediatike duhet të jenë shembull në mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve dhe në krijimin e kushteve të drejta të punës, e jo të ndërmarrin veprime që mund të ushtrojnë presion financiar dhe profesional ndaj tyre”, ka deklaruar AGK-ja.
Asociacioni ka paralajmëruar se do ta monitorojë nga afër procesin gjyqësor.



