
Anëtarët e LVV-së mund të paraqesin kandidaturat deri më 4 dhjetor për listën zgjedhore të 28 dhjetorit.
Lëvizja Vetëvendosje ka shpallur zyrtarisht nisjen e procesit të zgjedhjeve të brendshme për përzgjedhjen e kandidatëve për deputet në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit. Përmes një njoftimi publik, subjekti ka bërë të ditur se të gjithë anëtarët e LVV-së kanë të drejtë të kandidojnë për t’u bërë pjesë e listës zgjedhore.
Sipas njoftimit, kandidatët e interesuar duhet të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm pranë strukturave të partisë deri më 4 dhjetor.
“Me besimin e plotë në vlerat e demokracisë sonë të brendshme dhe në respektim të Statutit, ky proces synon të çojë përpara kandidatët dhe kandidatët më të përgatitur për fitoren plebishitare të Lëvizjes VETËVENDOSJE!”, thuhet në komunikatën e subjektit politik.
Procesi i brendshëm i përzgjedhjes pritet të përcaktojë emrat që do të garojnë në zgjedhjet parlamentare të fundvitit.



