
Nënkryetari i LDK-së thotë se vetëm vota e qytetarëve mund ta ndalë kontrollin e tri pushteteve nga Albin Kurti dhe VV-ja.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka paralajmëruar se Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje, sipas tij, synojnë të kontrollojnë tri pushtetet kryesore në Kosovë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit: kryesinë e Kuvendit, postin e kryeministrit dhe detyrën e presidentit.
Haziri ka theksuar se vetëm vota e qytetarëve mund ta ndalë këtë proces, duke paralajmëruar për pasoja serioze për demokracinë në vend. Sipas tij, nëse nuk ka kompromis politik, kriza mund të thellohet edhe më tej.
“Deri në prill lufta ka me qenë. Nëse vazhdon mos me lëshu pe, ju duhet me prit që kandidatja për kryetar të Kuvendit ka me qenë e njëjta që këtë vit i ka dështuar si propozim, sepse ajo i ka ditët e numëruara si kandidate për kryetar të Kuvendit me u ba ushtruese e detyrës së presidentit. Edhe kapja e pushtetit në tri shtyllat kryesore ka me qenë mirëseardhja e vitit të ri”, ka deklaruar Haziri.
Ai ka shtuar se ky skenar do të paraqitet si “mirëseardhje e vitit të ri”, duke e cilësuar si rrezik serioz për funksionimin demokratik të shtetit.
“E ka të kryer. Vetëm qytetarët mund të mos ia japin këtë mandat. Nëse del parti e parë, është proces që ka me ndodhë. Vetëm një fuqi e ndalë, vota e 28 dhjetorit”, është shprehur Haziri.
Po ashtu, nënkryetari i LDK-së ka paralajmëruar se Kosova rrezikon të shkojë edhe në një palë tjetër zgjedhje, nëse kriza politike vazhdon dhe nuk arrihet marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja.



