WSJ: Dhëndri i Trumpit tërhiqet nga planet për ndërtim të kompleksit luksoz në Serbi

Kompania “Affinity Partners” heq dorë nga ndërtimi në zonën e ish-Shtabit të Përgjithshëm, në mes të hetimeve dhe aktakuzave për shkelje ligjore.

Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, është tërhequr nga planet për ndërtimin e një kompleksi luksoz në Beograd, raporton Wall Street Journal.

banner

Kompania e tij, “Affinity Partners”, kishte parashikuar ndërtimin e kompleksit në zonën ku ndodhet objekti i ish-Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë jugosllave, i cili u shkatërrua gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999. Sipas një zëdhënësi të kompanisë, vendimi për t’u tërhequr është marrë për shkak të ndjeshmërisë publike dhe për të shmangur përçarjet.

“Meqë projektet madhore duket të bashkojnë dhe jo të krijojnë ndasi, dhe për shkak të respektit për shtetasit e Serbisë dhe Beogradit, po e tërheqim aplikimin tonë dhe po tërhiqemi këtë herë”, ka deklaruar zëdhënësi i “Affinity Partners”, sipas Wall Street Journal.

Ky zhvillim vjen në të njëjtën ditë kur Zyra e Prokurorit Publik për Krim të Organizuar ka ngritur aktakuzë ndaj ministrit aktual të Kulturës në Serbi, Nikolla Sellakoviq. Aktakuza lidhet me veprime të dyshuara ilegale në procesin e heqjes së statusit të objektit të mbrojtur për ndërtesën e ish-Shtabit të Përgjithshëm në qendër të Beogradit.

Sellakoviq akuzohet për abuzim të pozitës zyrtare dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare. Hetimet kanë nisur që nga muaji maj dhe kanë të bëjnë me dyshimet për falsifikim dokumentesh, mbi bazën e të cilave Qeveria e Serbisë e ka tërhequr statusin e mbrojtjes kulturore për objektin.

Sipas dyshimeve të mëparshme të Zyrës së Prokurorit për Krim të Organizuar, Drejtori i Institutit për Mbrojtjen e Objekteve Kulturore, Goran Vasiq, ka pranuar se dokumentet përkatëse janë falsifikuar.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.