A iu lodhën “mashqit” Ramush Haradinajt? AAK-ja e VV-ja lidhin koalicione në Prizren e Junik

Albin Kurti, kryeministër në detyrë, kishte cituar në Kuvendin e Kosovës një thënie të Ramush Haradinajt, kryetar i AAK-së, i cili – siç citonte Kurti – ishte ankuar për “lodhje të mashqive”. Prandaj, vazhdonte rrëfimi i Kurtit, ai kishte bërë koalicion me PDK-në, duke krijuar PAN-in.

Vite më vonë, Haradinaj do të ishte një nga eksponentët më të zëshëm ndaj Kurtit, duke mos e kursyer gjuhën e akuzës. Madje, Haradinaj nuk ngurronte ta theksonte e stërtheksonte se Kurti ishte argat edhe i Serbisë, edhe i Rusisë.

Megjithatë, AAK-ja ka lidhur dy koalicione – deri tani – me Levizjen Vetëvendosje në nivel lokal. Me shumë gjasë, koalicioni i tretë është duke u gatuar.

“Meshqit” e Haradinajt në koalicion me VV-në

Koalicioni më i bujshëm aktualisht është koalicioni i nënshkruar në degën e Prizrenit, ku VV-ja e PDK-ja do të përballen në balotazh. Artan Abrashi, kandidat për Komunën e Prizrenit nga VV-ja, njoftoi për koalicionin e arritur me AAK-në, duke treguar se u bënë bashkë “për të ndërtuar një qeverisje të drejtë, transparente dhe zhvillimore për qytetin tonë“, transmeton Gazeta Politika.

Pra AAK-ja do t’i ndihmojë Abrashit kundër Shaqir Totajt të PDK-në në garën për të parin e Prizrenit, zgjedhje që do të mbahen më 9 nëntor.

Mes VV-së e AAK-së është lidhur edhe një koalicion. Juniku është vendi ku AAK-ja e VV-ja bashkuan forcat për të fituar kandidatin e LDK-së, Ruzhdi Shehu. Për dallim nga Prizreni, në Junik AAK-ja është në garë për kryetar, ndërsa VV-ja do të jetë përkrahëse me votat që ka mbledhur në raundin e parë.

Koalicionin mes AAK-së e VV-së e njoftoi Agron Kuçi, duke shpërndarë edhe një fotografi.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe  Lëvizja Vetëvendosje, gjithnjë në interesin e përgjithshëm të qytetarëve, sonte  bashkuam  forcat për të ardhmen e Junikut.

Një marrëveshje e fitores, e shpresës dhe e zhvillimit. Junikut po i kthehet energjia e punës, bashkëpunimit dhe përparimit” – ka shkruar Kuçi, transmeton Gazeta Politika.

Koalicion edhe në Pejë?

Ngrohja e marrëdhënieve mes VV-së e AAK-së në nivel lokal, me shumë gjasë, do të zgjerohet. Që disa ditë është përfolur për një koalicion të mundshëm mes këtyre dy partive edhe në Pejë.

Madje, Taulant Kelmendi, kandidat i VV-së në Pejë, tregoi se i ka dërguar një ofertë zyrtare Ali Berishës së AAK-së, i cili nuk arriti të futej në balotazh, ku Kelmendi do të përballet me Gazmend Muhaxherin e LDK-së.

“Peja nuk mund të vazhdojë të qeveriset nga pazaret politike të ndërtuara mbi llogaritë e ngushta të pushtetit prandaj jemi transparent në këtë rrugëtim. Qyteti ynë meriton një qeverisje të përgjegjshme, me integritet dhe në shërbim të qytetarëve” – ka shkruar Kelmendi, njofton Gazeta Politika.

Sjellim ndër mend që raundi i dytë, që gjerësisht njihet si balotazh, do të mbahet me 9 nëntor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button