
Nasim Hasani kritikon publikimin e aktgjykimit të Kushtetueses para zgjedhjeve lokale.
Deputeti i PDK-së e cilëson të padrejtë publikimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese pak ditë para zgjedhjeve, ndërsa shprehet optimist për konstituimin e Kuvendit së shpejti.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Nasim Hasani, ka reaguar ndaj publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese disa ditë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale, duke e quajtur këtë veprim të papërshtatshëm dhe të padrejtë.
Në një prononcim për media, Hasani tha se vendimi i Gjykatës ka dalë me një afat kohor prej 12 ditësh, ndërsa afati ka nisur para dy ditësh. Ai shtoi se grupi parlamentar i PDK-së do të mblidhet sot për të përcaktuar qëndrimin e vet.
“Është një vendim i Gjykatës që ka dalë me afat kohor prej 12 ditësh, afati ka filluar që pardje, kështu që sot do të kemi një mbledhje të grupit dhe sigurisht do të dalim me një qëndrim,” tha Hasani.
Deputeti opozitar shtoi se publikimi i aktgjykimit vetëm dy ditë para zgjedhjeve vendore vendos presion mbi të gjitha partitë politike.
“E shoh si jo të drejtë daljen e aktgjykimit dy ditë para zgjedhjeve, që do t’i vë të gjitha partitë politike në presion, por besoj se me një marrëveshje do t’ia dalim; nëse jo, të hënën kismet po,” deklaroi ai.



