Abdixhiku i ashpër me analistë: U kthyem të parët në Prishtinë pa exit polle e pa zhurmaxhi mercenarë

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se rikthimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës në krye të Prishtinës është rezultat i punës së bërë gjatë mandatit të Përparim Ramës dhe reformave të brendshme në parti.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas rezultateve të zgjedhjeve lokale, duke theksuar se rikthimi i partisë së tij si forca e parë në Prishtinë vjen falë punës dhe jo propagandës.

“Në Prishtinë jemi rikthyer si parti e parë pas 12 vitesh, jo me propagandë, as me exit-polle, e edhe më pak me zhurmaxhi mercenarë. Të gjithë kundër, ditë e natë, pa ndalë. Nuk jemi marrë fare me ta. Në Prishtinë jemi rikthyer veç me punë,” ka shkruar Abdixhiku.

Ai theksoi se puna e bërë në katër vite nga kryetari Përparim Rama dhe strukturat e LDK-së në kryeqytet ka sjellë rezultate konkrete.

“Sot, struktura e LDK-së në kryeqytet, me 5 degë e 83 nëndegë, është par ekselancë – model për secilin qytet. Prandaj prijmë me parti e kandidat në Prishtinë,” ka shtuar ai.

Sipas Abdixhikut, besimi qytetar ndërtohet vetëm mbi punë dhe përpjekje të drejtë, jo përmes propagandës apo mercenarizmit mediatik.

“Mendimi qytetar nuk ndërtohet nga propaganda helmuese e mercenarizmi i mendimit. Nuk ju shohin, nuk ju besojnë. Mendimi qytetar ndërtohet veç nga puna dhe përpjekja e drejtë politike – të cilën edhe e shohin, edhe e ndjejnë, edhe e besojnë. Do të vazhdojmë kështu. Nuk dimë ndryshe,” përfundoi Abdixhiku.

Back to top button