
Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK, ka reaguar pas lajmit për largimin e fotografisë së Ibrahim Rugovës, ish-president historik i Kosovës, nga vendi ballor në Presidencë.
Abdixhiku ka vlerësuar se Rugova e ka vendin në Presidencë.
Postimi i plotë:
Ibrahim Rugova ka vendin e tij në Presidencën e Kosovës, sepse ka vendin e tij në themelet e këtij shteti. Po aty e ka vendin edhe Deklarata e Pavarësisë, akti themelues i Republikës sonë.
Largimi i tyre është një vendim i gabuar. Presidenca ka përgjegjësi ta ruajë kujtesën shtetërore dhe ta nderojë historinë mbi të cilën është ndërtuar shteti që përfaqëson. Kjo përgjegjësi qëndron mbi preferencat personale dhe dallimet politike.
Prandaj, në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e ftoj Presidenten ta rishikojë këtë vendim dhe t’i rikthejë fotografinë e Presidentit Rugova dhe Deklaratën e Pavarësisë në vendin e tyre. Historia që ato përfaqësojnë na përket të gjithëve.
Do t’i bënte nder edhe asaj.
Siç i bën nder sot ky portret edhe Parlamentit Evropian.



