
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se partia e tij është e gatshme të japë votat për zgjedhjen e presidentit dhe kështu t’ia mundësojë Vetëvendosjes vazhdimin e qeverisjes, por ka vendosur një kusht: presidenti duhet të jetë jopartiak dhe i dakorduar mes palëve.
LDK-ja ka hequr dorë nga kërkesa që posti i presidentit t’i takojë asaj, si dhe nga çdo kërkesë për poste në Qeveri apo për kryetar të Kuvendit.

“LDK-ja heq dorë nga çdo kërkesë për pjesëmarrje në qeveri. S’e duam asnjë ministri. Le t’i mbajë Lëvizja Vetëvendosje. Heqim dorë nga kërkesa për kryetar të Kuvendit dhe më e rëndësishmja edhe nga kërkesa për të udhëhequr postin e presidentit”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka bërë të qartë se LDK-ja, ndonëse do të qëndrojë në opozitë, është e gatshme të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së presidentit.
“Pavarësisht këtij qëndrimi, LDK-ja s’do ta shndërrojë zhgënjimin politik në bllokadë. Jemi të gatshëm të bisedojmë për zgjidhjen e një presidenti që mbron interesat e Republikës”.
Sipas Abdixhikut, VV-ja mund ta formojë Qeverinë me shumicën e saj, ndërsa LDK-ja do të bashkëpunojë për çështjen e presidentit për të shmangur një krizë të re.
“LVV-ja mund ta zgjedhë stabilitetin institucional përmes një presidenti që e zgjedhim të gjithë bashkërisht, ne dhe ata. Dhe të qeverisë me shumicën e vet, ose ta çojë vendin drejt një krize shumë më të rëndë, përplasje më të rëndë, vetëm se nuk pranon as kufirin më të vogël të kompromisit demokratik”, ka thënë ai.
“Ta zgjedhim një president që i shërben Republikës, jopartiak dhe jo president karate”, ka deklaruar Abdixhiku, duke theksuar se “propozimet e njëanshme janë të refuzueshme”.
Me këtë qëndrim, LDK-ja heq dorë nga pretendimi për ta marrë vetë Presidencën, por ofron votat e saj për një kandidat jopartiak që do të dakordohej edhe me Vetëvendosjen.



