
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës thotë se pret fitore pa balotazh në disa komuna dhe beson se partia e tij ka shtrirje të gjerë në gjithë vendin.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, është shprehur optimist për rezultatin e zgjedhjeve lokale që do të mbahen të dielën, duke paralajmëruar se “në LDK do të ketë festë”.
Në një intervistë në emisionin Pressing në T7, Abdixhiku tha se partia e tij pret të fitojë pa balotazh në disa komuna, duke e krahasuar situatën me zgjedhjet e kaluara lokale.
“Në zgjedhjet lokale të kaluara vetëm Pejën e Lipjanin i fituam pa balotazh, këtë herë presim që të fitojmë edhe më shumë komuna,” deklaroi Abdixhiku.
Ai shtoi se LDK ka një shtrirje të gjerë të votës në gjithë Kosovën, gjë që sipas tij do të reflektohet edhe në rezultatin zgjedhor.
“LDK ka prezencë në gjithë Kosovën. Në zgjedhjet lokale kjo ka shumë rëndësi. Kemi praninë e fortë në regjionin e Prishtinës 01 – në Prishtinë, Lipjan, Fushë Kosovë e Llap – por edhe në Dukagjin. Kjo do të shihet të dielën,” tha Abdixhiku.
Sipas tij, LDK është e gatshme për fitore, duke synuar rikthimin si forcë kryesore në qeverisjen lokale në vend.



