Abdixhiku reagon pas publikimit të rezultateve: LDK triumfoi në zgjedhjet lokale, mbi 180 mijë vota

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka shprehur mirënjohje për të gjithë kandidatët e partisë pas përfundimit të raundit të parë të zgjedhjeve lokale, duke vlerësuar punën, përkushtimin dhe sukseset e tyre në terren.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka falënderuar publikisht kandidatët e partisë për angazhimin e tyre gjatë fushatës zgjedhore dhe për rezultatin e arritur në zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor.

Në një mesazh drejtuar kandidatëve të LDK-së, Abdixhiku u shpreh mirënjohës për punën dhe përkushtimin e secilit prej tyre, duke theksuar se kanë përfaqësuar denjësisht “shtëpinë e demokracisë”.

“Sot dua t’ju drejtohem me mirënjohjen më të thellë për punën, përkushtimin dhe dinjitetin që keni treguar në këtë fushatë. Secili prej jush ka qenë zëri, fytyra dhe energjia e LDK-së në çdo qytet, lagje e fshat të Kosovës. Keni qëndruar me dinjitet, me argument, me kulturë e me dashuri për vendin; siç i ka hije shtëpisë së demokracisë,” shkroi Abdixhiku.

Ai përmendi edhe kandidatët që fituan në raundin e parë – Imriun, Ilirin dhe Ruzhdinë – duke i uruar për suksesin e arritur.

“Festojmë për ta të gjithë. E merituat me punë, me durim e me besim. Urime për çdo sukses që e keni ndarë me qytetarët tuaj, për çdo fitore që është fitore e përbashkët e LDK-së dhe e gjithë Kosovës,” shtoi ai.

Kreu i LDK-së u drejtua edhe kandidatëve që kaluan në balotazh, duke i inkurajuar të vazhdojnë garën me vendosmëri, si dhe atyre që nuk arritën rezultatin e pritur, duke theksuar se çdo përpjekje është përvojë dhe themel për fitoret e ardhshme.

“Mos e merrni si humbje, meqë gara nuk është e tillë. Është përvojë, është dëshmi se LDK ka njerëz të guximshëm që nuk dorëzohen kurrë. Politika është garë e gjatë, maratonë,” tha Abdixhiku.

Në fund, ai nënvizoi se LDK është sot më e fortë dhe më e organizuar se kurrë më parë, duke theksuar se partia ka marrë mbi 180 mijë vota për Kuvendet Komunale, rezultat që, sipas tij, e rendit LDK-në si partinë e parë të këtyre zgjedhjeve lokale.

“Rrugëtimi ynë vazhdon me të njëjtin përkushtim, me të njëjtën besë dhe me të njëjtin qëllim. Ju faleminderit nga zemra për fushatën, për punën dhe për besimin,” përfundoi Abdixhiku.

Back to top button