Adelina Ismaili: Jemi në epokën e Albin Kurtit

Artistja e njohur foli në “Goca dhe Gra” për karrierën e saj, këngën “Ushtrinë time do ta bëj” dhe ndikimin politik të kryeministrit Kurti.

Artistja e mirënjohur Adelina Ismaili ka qenë së fundmi e ftuar në emisionin “Goca dhe Gra”, ku ndau me publikun momente nga jeta e saj personale, rrugëtimi artistik dhe këngët që kanë lënë gjurmë në muzikën shqiptare.

Gjatë intervistës, këngëtarja u pyet edhe për projektin e saj të njohur “Ushtrinë time do ta bëj”, i cili në kohën e publikimit kishte ngjallur shumë debat. Pyetja solli bisedën edhe tek politika, një temë që Adelina nuk e shmangu.

“Të flasësh për politikën dhe të mos flasësh për Adelina Ismailin është e pamundur. Mendoj se tash është epoka e Albin Kurtit. Në fakt, në Kosovë po se po, por besoj që do të jetë edhe këtej kufirit në një moment”, u shpreh ajo.

E pyetur me humor nga moderatoret nëse do të bënte “një ushtri me Albin Kurtin”, këngëtarja tha:

“Ushtria është krijuar më 14 dhjetor 2008 në Kosovë, unë e kam ditëlindjen më 14 dhjetor. Unë besoj që Kosova e ka bërë këtë qëllimisht për hatrin tim”.

Në vazhdim, Ismaili theksoi se sipas saj, ndikimi i kryeministrit të Kosovës po rritet dita-ditës:

“Po më duket që influenca e tij po rritet kudo që ka shqiptarë, po duket se koha e tij po vjen. E kam një bindje që nuk do të kufizohet vetëm në Kosovë”.

Back to top button