Aktakuzë ndaj 20 personave për krime lufte në Gjakovë, i përfshirë edhe Milan Radoiçiqi

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë, me propozim për mbajtjen e gjykimit në mungesë, kundër 20 të pandehurve për krime lufte kundër popullsisë civile në komunën e Gjakovës.

Të pandehurit M.K., R.C., M.D., P.R., S.K.,L.O., Zh.S., S.S.,L.D.,Z.R., D.G.,Ç.B., V.B., R.B.,R.R.,L.R.,M.Sh.,M.R., S.G., T.A., thuhet se akuzohen  për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

banner

Siç ka mësuar KOHA në burime, ndër të akuzuarit është edhe Milan Radoiçiq, i akuzuari kryesor për sulmin terrorist në Banjskë. 

Sipas aktakuzës, gjatë viteve 1998-1999, M.K., në cilësinë e shefit të Sekretariatit të Punëve të Brendshme (SUP) në Gjakovë, R. Ç., në cilësinë e komandantit të njësive të Policisë së Posaçme, (PJP) dhe M.D., në cilësinë e komandantit të Brigadës së 52-të të Artilerisë Raketore, së bashku me të pandehurit P.R., S.K., L.O., Zh.S., S.S., L.D., Z.R., D.G., Ç.B.,V.B.,R.B.,R.R.,L.R., M.Sh.,M.R., S.G., T.A., në cilësinë e pjesëtarëve të njësive të lartëcekura, akuzohen për pjesëmarrje në vrasjen e 107 civilëve, gjatë një operacioni të gjerë ushtarako-policior.

Gjatë këtij operacioni, sipas aktakuzës, të pandehurit fillimisht kanë ndarë gratë dhe fëmijët nga burrat.

Gratë janë plaçkitur, duke iu marrë stolitë e arit, paratë dhe sendet e tjera me vlerë, ndërsa burrat janë ekzekutuar disa në shtëpitë dhe oborret e tyre, disa në lokacionin e njohur si “Ura e Taliqit”. 

Po ashtu, thuhet se edhe shtëpitë ishin djegur.

Në prill të 2025-s qe raportuar se ndaj Radoiçiqit dhe 19 serbëve të tjerë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhërarrest për krime lufte.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë.

Radoiçiqi e ka pranuar përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë. Megjithatë, ai po mbahet i lirë në Serbi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.