Albin Kurti bën showbiz, kur Serbia blen armatim na mezi e marrim vesh

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, nga tubimi zgjedhor në Deçan, akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po e përdor ushtrinë për marketing politik, pas prezantimit publik të dronëve “Skydagger”.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, gjatë një tubimi zgjedhor në Deçan, ka sulmuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar për shfaqje të panevojshme publike të armatimit të ri të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Haradinaj tha se prezantimi i dronëve turqë “Skydagger” ishte veprim i papërgjegjshëm dhe i motivuar politikisht.

“Kur blen Serbia armatim në Iran ose në Kinë, ne mezi e marrim vesh. E çka bën kryeministri jonë? Qiky është showbizz-i që po ju kallxoj unë juve,” deklaroi Haradinaj para mbështetësve të tij.

Ai shtoi se ndonëse blerja e dronëve është një zhvillim pozitiv për FSK-në, mënyra se si u prezantuan është e papranueshme.

“Kur kanë ardh dronët, që nuk janë të këqij e shyqyr që i kem, por ky, Albin Kurti, ka dalë edhe ua ka tregu edhe specifikat – sa kilometra fluturojnë, tek ku mrrijnë e çka ka në to – që kush njeri normal në botë nuk e bën,” theksoi Haradinaj.

Kreu i AAK-së e përmbylli fjalimin duke thënë se ushtria duhet të trajtohet me seriozitet dhe profesionalizëm, jo si mjet propagandistik në fushatë.

Back to top button