
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka marrë pjesë në edicionin e 28-të të Simpoziumit SYMI, që po mbahet në Greqi me temën “Achilles’ Wrath and Cassandra’s Warning – Empowering Democracy and Taming Power”.
Përmes një postimi, Kurti bëri të ditur se në simpozium po marrin pjesë diplomatë, akademikë, aktivistë, zyrtarë shtetërorë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, të cilët po diskutojnë për zhvillimet aktuale gjeopolitike, sigurinë, demokracinë dhe inteligjencën artificiale.

Kurti ishte pjesë e panelit “Frontline democracies – The Balkans, Ukraine and more”, ku theksoi se Evropa nuk është vetëm një hapësirë gjeografike, por një projekt politik dhe demokratik.
“Evropa fillon në shtëpi për secilin shtet dhe përfundon në vijat e frontit të luftës në Ukrainë”, tha ai, duke shtuar se zgjerimi i mëtejshëm i Bashkimit Evropian dëshmon se periferia nuk është aty për t’u grabitur.
Ai vlerësoi gjithashtu se bota nuk po përballet me një përplasje civilizimesh, por me “përplasje të brendshme të ndërgjegjes me reaksionin”, ndërsa autokratët i cilësoi si “njerëz të lindur në shekullin e gabuar”, duke theksuar se tendencat paramoderne nuk mund të triumfojnë mbi republikën demokratike.
Postimi i tij i plotë:
Edicioni i 28-të sivjet i Simpoziumit SYMI në Greqi po mbahet me temën “Achilles’ Wrath and Cassandra’s Warning – Empowering Democracy and Taming Power” (Zemërimi i Akilit dhe paralajmërimi i Kasandrës – Fuqizimi i demokracisë dhe zbutja e pushtetit).
Diplomatë të shquar e aktivistë progresistë, zyrtarë shtetesh e akademikë intelektualë, drejtues të organizatave ndërkombëtare e studiues të instituteve kërkimore, diskutojnë së bashku sipas modelit Chatham House Rule për tema të ndryshme të aktualitetit (gjeo)politik global, nga paqja e siguria teksa forcohet mulipolariteti dhe dobësohet multilateralizmi te sulmet e shtuara mbi demokracinë dhe të drejtat e njeriut, nga krizat e shumëfishta e luftërat e reja pa përfunduar të vjetrat te pritjet dhe efektet e inteligjencës artificiale.
Unë mora pjesë në panelin “Frontline democracies – The Balkans, Ukraine and more: What complacent older democracies must learn from societies still fighting, every day, for democratic European space.” (Demokracitë në vijën e parë të frontit – Ballkani, Ukraina dhe më shumë: Çfarë duhet të mësojnë demokracitë e vjetra të vetëkënaqura nga shoqëritë që ende luftojnë, çdo ditë, për hapësirë demokratike evropiane.) Përveç tjerash aty theksova që:
- Evropa fillon në shtëpi për secilin shtet dhe përfundon në vijat e frontit të luftës në Ukrainë, dhe se pikërisht zgjerimi i mëtejshëm i Bashkimit Evropian dëshmon që periferia nuk është aty për t’u grabitur.
- Në zhvillimet botërore realisht nuk kemi përplasje të jashtme të civilizimeve por sot jetojmë në kohërat e përplasjeve të brendshme të ndërgjegjes me reaksionin.
- Autokratët duhen konsideruar si njerëz të lindur në shekullin e gabuar dhe se tendencat paramoderne për monarki merkantiliste nuk mund të triumfojnë mbi republikën demokratike.



