
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi se arrestimi u realizua në bashkëpunim me AKI-në dhe Prokurorinë, duke e cilësuar rastin si një nga aktet më të rënda ndaj sigurisë kombëtare.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka konfirmuar se sot është arrestuar Fatmir Sheholli, nën dyshimet e bazuara për përfshirje në spiunazh.
Në një postim në “Facebook”, Sveçla tha se operacioni u zhvillua në bashkëpunim të ngushtë mes Policisë së Kosovës, AKI-së dhe Prokurorisë.
“Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me AKI-në dhe Prokurorinë ka arrestuar sot Fatmir Shehollin, me dyshimet e bazuara për përfshirje në spiunazh,” shkroi Sveçla.
Ai e cilësoi rastin si një nga aktet më të rënda ndaj sigurisë dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, duke theksuar se institucionet do ta trajtojnë me seriozitet të lartë.
“Koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar. Kushdo që punon për Serbinë e kundër Kosovës do të ndiqet pa kompromis e pandalshëm,” shtoi ai.
Sveçla gjithashtu kritikoi hapësirat mediatike që, sipas tij, disa individë kanë shfrytëzuar për të bashkëpunuar me aktorë armiqësorë ndaj shtetit të Kosovës.
“Mbesim të përkushtuar të mbrojmë vendin tonë nga të gjitha qarqet që nuk hezitojnë ta rrezikojnë atë për çfarëdo përfitimi të tyre,” përfundoi ministri.



