
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka dalë me sqarime të reja lidhur me Qumështoren VITA, pasi kjo e fundit publikoi disa rezultate analizash, duke pretenduar se ato dëshmonin se qumështi i saj ishte “100% i pastër” dhe pa vaj palme apo qumësht pluhur.
Sipas sqarimit të AUV-së, pas kontrolleve zyrtare dhe rezultateve laboratorike të LUVK-së, gjithsej 12 produkte të VITA-s të paraqitura dhe tregtuara si produkte me përmbajtje shtazore janë konstatuar jokonforme për shkak të pranisë së vajit të palmës, qumështit pluhur dhe/ose niseshtes së padeklaruar.

AUV thotë se gjetja më serioze ka të bëjë pikërisht me qumështin.
Sipas Agjencisë, katër mostra të katër produkteve të shitura, prezantuara dhe deklaruara si qumësht kanë rezultuar jokonforme. Në dy prej tyre është gjetur vaj palme, ndërsa në dy të tjera qumësht pluhur, pa qenë të deklaruara për konsumatorin.
Ndërkohë, vetëm një markë e analizuar ka rezultuar pa prani të vajit të palmës dhe qumështit pluhur dhe nuk është cilësuar jokonforme. Megjithatë, AUV thotë se edhe ajo është vendosur nën mbikëqyrje të shtuar dhe ritestim, pasi prodhohet në të njëjtin objekt dhe linjë prodhimi.
Ky sqarim vjen pasi VITA kishte publikuar në Facebook dokumente që i kishte paraqitur si rezultate zyrtare të AUV-së.
“Pas 36 ditësh, Qumështorja Vita i merr zyrtarisht rezultatet e analizave nga AUV-i. Sipas këtyre analizave del që qumështi Vita është i pastër me 100% qumësht. Nuk ka as pluhur, e as vaj palme (vajra bimore)”, kishte deklaruar kompania.
AUV, ndërkaq, thotë se ka urdhëruar tërheqjen nga tregu të 12 produkteve jokonforme të VITA-s dhe ndalimin e prodhimit të 26 produkteve të tjera që prodhoheshin jashtë fushëveprimit të aprovimit të operatorit.



