
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar qeverinë për refuzimin e projektit amerikan të gazit, duke e cilësuar këtë çështje si një nga temat më të rëndësishme strategjike për Kosovën.
Hoti ka ngritur tri pyetje kryesore: pse Kosova nuk po përfshihet në projektin e gazit amerikan, pse nuk janë ndërtuar kapacitete të reja energjetike gjatë gjashtë viteve të fundit dhe kujt i intereson vazhdimi i varësisë nga importi i energjisë.
“Këto besoj se janë pyetjet thelbësore për secilin politikan dhe secilin qytetar”, ka shkruar ai.
Sipas Hotit, projekti i gazit nuk është vetëm ekonomik, por lidhet drejtpërdrejt me orientimin gjeopolitik të Kosovës dhe aleancën me Shtetet e Bashkuara.
“Nëse ekziston kauzë për të cilën duhet dalë në rrugë në protesta demokratike deri në largimin e kësaj qeverie, është ky projekt i gazit”, deklaroi ai.
Hoti kritikoi edhe opozitën, duke thënë se kjo temë shpesh trajtohet vetëm gjatë fushatave zgjedhore.
Ai përmendi gjithashtu suspendimin e Kosovës nga Defender Europe 2023 dhe pezullimin e dialogut strategjik Kosovë–SHBA si çështje që, sipas tij, do të duhej të kishin nxitur reagim më të madh politik dhe qytetar.



