
Deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami ka thënë se nuk e ka deleguar votën te askush.
Ajo ka thënë se mbështetja që e ka marrë nga qytetarët jo vetëm në zgjedhjet e fundit nuk i është dhënë “për të qenë numër në Kuvend dhe as për t’ia zgjatur pushtetin Albin Kurtit”.

“Përkundrazi, këtë besim e kam marrë se besoj fort se kam arrit të jem zëri i qytetarëve kundër keqqeverisjes së Albin Kurtit, kam punuar e jam angazhuar për interesin e vendit dhe kam mbrojtur e ruajtur Lidhjen Demokratike të Kosovës aq sa kam mundur”, ka shkruar Bajrami në një status në Facebook.
Ajo ka thënë se për të është e papranueshme që në emër të zgjidhjes së krizës institucionale, të bëhen pjesë e një marrëveshjeje që ia zgjat pushtetin, siç e ka cilësuar ajo, të koncentruar, Albin Kurtit.
“Po, Kosova ka nevojë për institucione funksionale, por Kosova ka nevojë mbi të gjitha për balancë institucionale, kontroll demokratik dhe llogaridhënie. Përqendrimi i pothuajse gjithë fuqisë institucionale në duart e një partie dhe të një njeriu nuk është zgjidhje, është rrezik për demokracinë dhe dëm për shtetin, tashmë e dëshmuar kjo që gjashtë vite radhazi. Jam kundër zgjedhjeve të reja, por shmangia e tyre nuk mund të jetë arsye që deputetët të votojnë një marrëveshje që u prezantohet si fakt i kryer”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka theksuar se emrat e diskutuar për president të Republikës nuk janë konsultuar paraprakisht me deputetët e LDK-së.
Bajrami ka thënë se nëse nevojiten votat e tyre, konsultimi është dashur të bëhet para marrëveshjes, jo pasi ajo është arritur dhe është bërë publike.
“Askush nuk mund ta negociojë votën e një deputeti dhe pastaj, nëse nuk e merr atë votë, ta bëjë deputetin përgjegjës për zgjedhje të reja. Pastaj mos të harrojmë se zgjedhjet nuk shmangen me çdo kusht me zgjedhjen e presidentit sepse Kuvendi për shkak të LVV ka bërë shkelje kushtetuese dhe është kaluar afatin 30 ditor për konstituim”, ka shkruar Bajrami.



