
Këshilltari amerikan për çështjet e Ballkanit, Christopher S. Hyland, i ka bërë thirrje Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) që ta nderojë trashëgiminë politike të ish-presidentit historik Ibrahim Rugova, duke bashkëpunuar me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e qeverisë.
Në opinionin e tij të titulluar “Rugovizmi është zgjidhja”, Hyland vlerëson se bllokada politike në Kosovë mund të tejkalohet vetëm përmes kompromisit dhe bashkëpunimit, parime që, sipas tij, përbëjnë thelbin e Rugovizmit.

“Çdo parti, dhe mbi të gjitha Lidhja Demokratike e Kosovës – partia që vetë Ibrahim Rugova e themeloi – duhet më në fund të bëjë hapin përpara, të formojë një qeveri me Kurtin, fituesin e tri zgjedhjeve radhazi, dhe t’i lejojë Kuvendit të zgjedhë kreun e shtetit”, shkruan Hyland.
Sipas tij, refuzimi i LDK-së për të marrë pjesë në formimin e institucioneve nuk është në përputhje me filozofinë politike të Rugovës.
“Që LDK-ja të bllokojë formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentit në emër të avantazhit politik nuk është besnikëri ndaj themeluesit të saj; është mohimi i të gjithë metodës së tij, e cila mbështetej në bashkëpunimin politik për të mirën e përbashkët”, thekson ai.
Hyland argumenton se Kosova ka nevojë për frymën e Rugovës, të bazuar në dialog, kompromis dhe ndërtimin e konsensusit, në mënyrë që të dalë nga bllokada institucionale dhe të vazhdojë rrugën drejt integrimeve euroatlantike.



