
Grupi Parlamentar i PDK-së ka vazhduar edhe sot aksionin para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar konstituimin e Kuvendit dhe rikthimin, siç thonë ata, në rendin kushtetues.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se këtë herë në aksion kanë marrë pjesë edhe asamblistë dhe aktivistë nga Komuna e Mitrovicës.

“Edhe sot, përsëri dhe përsëri, bashkë me asamblistët dhe aktivistët nga Komuna e Mitrovicës, para Qeverisë:
Stop uzurpimit të institucioneve. Rikthim në rendin kushtetues. Konstituim të Kuvendit.
Qytetarët presin punë dhe mbështetje. Shteti pret zhvillim dhe përparim”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka paralajmëruar se PDK-ja do t’i vazhdojë aksionet.
“Nuk do të zmbrapsemi. Nuk do të ndalemi. Deri në fitoren e shtetit dhe të qytetarëve!”, ka shkruar Çitaku.
PDK-ja prej ditësh po organizon aksione para Qeverisë, duke kërkuar thirrjen dhe përfundimin e seancës konstituive të Kuvendit.



