
Nënkryetari i AAK-së thotë se e respekton Limajn për kontributin në luftë, por politikisht nuk do të ishte në të njëjtën listë me të, pas afrimit të Limajt me Albin Kurtin.
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka deklaruar se nuk do të dëshironte të ishte në një listë zgjedhore me Fatmir Limajn. Ai tha se e vlerëson Limajn për rolin dhe kontributin e tij në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por theksoi se politikisht nuk do të ndante të njëjtin rrugëtim me të.
Në një intervistë për emisionin Pressing në T7, Haradinaj u shpreh se pakënaqësia e tij ka të bëjë me mungesën e komunikimit nga ana e Limajt, pas vendimit të këtij të fundit për t’u afruar me Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin Albin Kurti.
“Asnjë problem nuk e kemi pasur, hatërmbetjet ose si me i quajtë kanë qenë pse nuk ka komuniku me neve para se me marrë një drejtim tjetër, ku shkojë te Kurti,” tha Haradinaj.
Ai shtoi se vendimi i Limajt për të mos konsultuar apo njoftuar AAK-në për këtë hap ishte i papritur.
“Nuk kisha pas qef me qenë edhe në listë ku është Fatmir Limaj në atë listë,” theksoi ai.
Këto deklarata të Haradinajt vijnë në një periudhë të lëvizjeve të reja politike në prag të zgjedhjeve të ardhshme, ku pritet të qartësohen koalicionet dhe bashkëpunimet e mundshme mes partive politike në Kosovë.



