Deda kritikon gjashtë deputetët e LDK-së: Duhej ta thoshin që në fillim se s’do ta përkrahnin asnjë marrëveshje me VV-në

Ilir Deda ka reaguar ndaj qëndrimit të gjashtë deputetëve të LDK-së që nuk e mbështesin marrëveshjen e arritur me Lëvizjen Vetëvendosje për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president.

Sipas Dedës, këta deputetë është dashur që në fillim të negociatave mes LDK-së dhe VV-së të deklaronin publikisht se nuk do ta mbështesnin asnjë marrëveshje mes dy partive.

banner

“Gjashtë deputetët e LDK është dashur që në fillim të negociatave të partisë së tyre me LVV të tregojnë publikisht që nuk do ta përkrahin asnjë marrëveshje të dy partive”, ka shkruar Deda.

Ai ka shtuar se deputetët do të duhej të sqaronin edhe se janë të vendosur që Kosova të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare, si kundërshtarë të pushtetit aktual.

“Mund të sqaronin edhe që janë të vendosur që Kosova të mbajë edhe një palë zgjedhje parlamentare, pasi që janë kundërshtarë konsistent të pushtetit të tanishëm”, ka thënë ai.

Deda ka kërkuar po ashtu që ata të arsyetojnë pse, sipas tyre, zgjedhjet e reja nuk do t’i konvenonin VV-së dhe nuk do ta dëmtonin LDK-në.

Ai ka përmendur edhe mundësinë që, si institucionalistë, deputetët t’i vinin në dispozicion nënshkrimet për një kërkesë drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me shkeljen e afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit.

Deda ka ngritur edhe një pyetje për tre deputetë të këtij grupi, duke kërkuar sqarim se pse vendimet e Kryesisë së LDK-së në vitin 2016 ishin obligative për ta, ndërsa sot nuk i konsiderojnë të tilla.

“Dhe kështu pra do ta hiqnin nga vetja barrën e madhe që e morën, si shkaktarët kryesorë të shkuarjes në zgjedhje të reja parlamentare”, ka përfunduar Deda

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.