Dronët natën shkaktojnë mbyllje të përkohshme në aeroportin e Munihut

Aeroporti i Munihut në Gjermani është rihapur, pasi disa raste ku u panë dronë e detyruan që të mbyllej dhe të anulonte më shumë se dhjetë fluturime të enjten mbrëma.

Të paktën 17 fluturime u anuluan në Munih, duke prekur gati 3.000 pasagjerë, ndërsa aeroporti tha se devijoi 15 fluturime shtesë për në qytete të tjera, raporton televizioni BBC.

banner

Të premten, një zëdhënës i kompanisë ajrore gjermane “Lufthansa” tha se “operacionet e fluturimeve kanë rinisur sipas orarit”.

Nuk pati konfirmim të menjëhershëm për atë se nga erdhën dronët që u panë afër aeroportit. Disa aeroporte në Evropë janë mbyllur javëve të fundit për shkak të dronëve të paidentifikuar.

Aeroporti i Munihut i njoftoi autoritetet pas vërejtjes së dronëve. Fluturimet në nisje u pezulluan dhe aeroporti u mbyll për dy orë para ndalimit të zakonshëm nga mesnata deri në orën 5 të mëngjesit.

Kontrolli i trafikut ajror i devijoi aeroplanët që kishin planifikuar të aterronin në Munih, duke i drejtuar për në Stuttgart, Nuremberg, Vjenë dhe Frankfurt.

“U prekën 19 fluturime të Lufthansa-s, qoftë të anuluara ose të ridrejtuara, për shkak të pezullimit në aeroport” – tha zëdhënësi i saj.

Zëdhënësi i Policisë Federale, Stefan Bayer, i tha gazetës “Bild” se, për shkak të errësirës, nuk janë konfirmuar të dhëna për llojin, madhësinë apo prejardhjen e dronëve. Ata u panë së pari në orën 21 e 30 dhe pastaj përsëri një orë më vonë, tha policia gjermane.

Rastet ku u panë dronë në pjesë të ndryshme të Bashkimit Evropian e nxitën mbajtjen e një samite të krerëve të shteteve në Kopenhagë këtë javë.

20 dronë rusë hynë në hapësirën ajrore të Polonisë dhe një aeroplan rus “MiG-31” hyri në hapësirën ajrore të Estonisë gjatë incidenteve të fundit.

Aeroportet në Kopenhagë dhe Oslo u detyruan që të mbylleshin, pasi dronë të paidentifikuar u panë afër tyre dhe në hapësira ajrore ushtarake./

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.