“Flasin në emër të shtabëve” — Abdixhiku për disa analistë: Nuk kanë besueshmëri

Kryetari i LDK-së thotë se një pjesë e madhe e analistëve janë përfaqësues të shtabeve zgjedhore, ndërsa thekson se takimi me qytetarët mbetet matësi i vërtetë i mbështetjes politike.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se në vend është humbur besimi në sondazhe dhe në debatet televizive. Sipas tij, një pjesë e madhe e analistëve dhe studiove televizive janë të lidhur me shtabet zgjedhore, duke vepruar nën petkun e analistëve politikë.

“Ka humbur besimi në sondazhet dhe debatet televizive. Kjo mund të mos na pëlqejë, por është kështu. Një pjesë e madhe e analistëve dhe studiove janë përfaqësues të shtabeve nën petkun e analistëve,” u shpreh Abdixhiku.

Ai shtoi se për një politikan, koha më e vlefshme është ajo e kaluar me qytetarët, e jo në debatet televizive. “Ai vjen në emër të shtabit dhe ti nuk ke çka humb kohë në atë drejtim. Pra, sa të duash bë skena në studio televizive, por është takimi me qytetarët ai që ta jep votën,” tha ai.

Abdixhiku po ashtu theksoi se, në disa raste, kritikat e ashpra nga disa analistë kanë rezultuar me efekt pozitiv në terren. “Në disa raste, sa më shumë që të shajnë disa analistë, çuditërisht po ka efekt të mirë atje,” shtoi ai.

Back to top button