FSK-ja futet gabimisht në veri

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun konfirmon se pjesëtarët e FSK-së qëndruan disa minuta në qytet, duke u justifikuar se kishin gabuar vendndodhjen.

Disa automjete të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë hyrë gabimisht në territorin e Mitrovicës së Veriut gjatë ditës së enjte, ku kanë qëndruar për disa minuta, ka bërë të ditur zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Sipas raportimeve të mediave serbe dhe videove që qarkulluan në Telegram, automjetet e FSK-së hynë në Mitrovicën e Veriut në orët e mëngjesit. Dëshmitarë okularë për “KoSSev” thanë se automjetet, përfshirë disa Hummer dhe tre deri në katër kamionë, qëndruan aty për rreth dhjetë minuta, dhe fillimisht qytetarët menduan se ishte KFOR-i.

Elshani konfirmoi se automjetet ishin të FSK-së dhe shtoi se pjesëtarët qëndruan rreth pesë minuta në një stacion karburanti, ku u pyetën nga policia për situatën. Sipas tij, pjesëtarët e FSK-së u përgjigjën se kishin gabuar vendndodhjen dhe menduan se ishin në Mitrovicën e Jugut. Ai theksoi gjithashtu se ata nuk mbanin armë.

Kur u pyet sesi është e mundur një gabim i tillë në përcaktimin e vendndodhjes, Elshani tha se kjo është “pyetje e mirë”, por për FSK-në.

Dislokimi i FSK-së në veri është i mundur vetëm me pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës. Ky angazhim, i dhënë përmes një letre nga ish-kryeministri Hashim Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbetet në fuqi edhe sot.

Back to top button