
Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar se Forca e Sigurisë së Kosovës është pajisur me dronë modernë turq “SkyDagger 15”, të cilët përdoren për misione vëzhgimi, kërkim-shpëtimi dhe transport teknik.
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është pajisur me dronë “SkyDagger 15” të prodhimit turk, ka konfirmuar Ministria e Mbrojtjes. Këta dronë të avancuar konsiderohen një shtesë e rëndësishme për kapacitetet teknike dhe operacionale të FSK-së.
Sipas njoftimit, “SkyDagger 15” ka mundësinë të fluturojë deri në 36 minuta, arrin shpejtësi maksimale prej 130 km/h dhe mund të bartë ngarkesa deri në 5 kilogramë.
Këta dronë përdoren për filmime ajrore, operacione kërkim-shpëtimi, inspektime teknike si dhe për transportimin e pajisjeve të vogla në zona të paarritshme.
Me këtë pajisje të re, FSK-ja synon të rrisë efikasitetin dhe aftësinë operacionale në terren, në përputhje me standardet moderne të forcave të sigurisë.



