
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, e ka cilësuar si “maskaradë” situatën e sotme në Kuvend, duke thënë se gjithçka është pjesë e një loje të Lëvizjes Vetëvendosje për të fituar kohë deri në caktimin e zgjedhjeve më 27 dhjetor.
Gjini ka thënë se VV-ja po e dëmton funksionimin e institucioneve të shtetit për interesa zgjedhore.

“Kjo maskaradë që ndodhi sot në Kuvend është lojë e pastër për të blerë kohë, që zgjedhjet t’i caktojnë më 27 dhjetor. Kjo edhe nëse çmimi është shkatërrimi i institucioneve të shtetit”, ka deklaruar Gjini.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos i votojnë më, siç i ka quajtur, njerëzit që po e dëmtojnë shtetin dhe demokracinë.
“Asgjë që po e shihni nuk është e rastësishme. Është zgjedhja e datës së zgjedhjeve. Po e nëpërkëmbin shtetin, po e nëpërkëmbin të ardhmen tuaj. Mos i votoni më. Mos lejoni ta shkatërrojnë Kosovën”, ka thënë ai.
Sipas Gjinit, Kosova do të shkojë në zgjedhje, ndërsa përgjegjësi e qytetarëve dhe e partive politike, sipas tij, është mbrojtja e shtetit dhe demokracisë.



