Gjykata Speciale i cilëson “aktivitete politike” protestat e veteranëve në Prishtinë, Hagë dhe Tiranë

Pas tri protestave madhështore në Prishtinë, Hagë dhe Tiranë, Organizatat e Veteranëve të Luftës paralajmërojnë se destinacioni i radhës do të jetë Strasburgu. Gjykata Speciale ndërkohë i quan këto aktivitete politike dhe thotë se është e përqendruar vetëm në zbatimin e mandatit të saj për gjykime të drejta.

Prishtinë, Hagë e Tiranë – këto kanë qenë tre destinacionet kryesore të protestave të Organizatave të Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilat janë zhvilluar me pjesëmarrje të qindra e mijëra qytetarëve, me thirrje për drejtësi nga Gjykata Speciale në Hagë, ku po gjykohen ish-krerët e UÇK-së.
Tani, veteranët kanë paralajmëruar se protesta e radhës pritet të mbahet në Strasburg, me qëllim që zëri i tyre të dëgjohet edhe në zemrën e institucioneve evropiane.

Megjithatë, nga Gjykata Speciale kanë refuzuar të komentojnë për protestat, duke i cilësuar ato si aktivitetet politike. Në një përgjigje për Nacionalen, nga Dhomat e Specializuara të Kosovës është thënë se ato mbeten të përqendruara në misionin e tyre ligjor.

“Si gjykatë, Dhomat e Specializuara janë plotësisht të përqendruara në zbatimin e mandatit të tyre për të kryer gjykime të drejta, të paanshme dhe të sigurta, siç kërkohet nga Shkëmbimi i Letrave midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian, Kushtetuta e Kosovës, si dhe Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Ne nuk komentojmë mbi zhvillimet ose aktivitetet politike”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës për Nacionalen.

Protesta e parë ishte mbajtur në Prishtinë, ku folën Hysni Gucati, Ali Ahmeti dhe Nevenka Tromp.
Më pas, mijëra protestues u mblodhën në Hagë, afër Dhomave të Specializuara, ku mori fjalën edhe ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch.
Ndërsa protesta e tretë u zhvillua në Tiranë, me pjesëmarrjen e Hysni Gucatit, Alfred Moisiut dhe Ali Ahmetit.
Në Tiranë u organizua edhe një aktivitet me motoçikleta, ku motoristë shqiptarë u drejtuan drejt Hagës në shenjë simbolike mbështetjeje për të akuzuarit.

Thirrjet kryesore në të gjitha protestat ishin për drejtësi dhe paanësi në proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, veçanërisht pas pranimit të disa provave të dërguara nga Serbia.

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, kishte deklaruar më 2022 se sondazhet e brendshme tregojnë për besueshmëri ndaj Gjykatës, pavarësisht kundërshtimeve publike.

“Sondazhi ynë tregoi se shumica e njerëzve besojnë se Gjykata do të sigurojë që të drejtat e të akuzuarve të respektohen, që procedurat do të jenë të drejta dhe se do të mbrohen dëshmitarët”, kishte thënë ajo.

Aktualisht, procesi gjyqësor në Hagë po vazhdon me dëshmitarët e mbrojtjes së Hashim Thaçit, dhe sipas ritmit të tanishëm, një vendim në shkallën e parë mund të pritet deri në prillin e vitit të ardhshëm.

Organizatat e Veteranëve kanë paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë deri në përfundim të procesit, me Strasburgun si stacionin e radhës në kërkim të drejtësisë.

Back to top button