
Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), të 22 majit. Ankesa kishte të bënte me refuzimin e kërkesës së LVV-së për mbajtjen e një tubimi politik në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për zgjedhjet e 7 qershorit, shkruan KOHA.
Në ankesën e paraqitur në Gjykatën Supreme, LVV-ja kishte pretenduar se PZAP ka zbatuar gabimisht nenin 4 të Rregullores Zgjedhore Nr. 07/2024 dhe se vendimi i këtij institucioni është i mangët në arsyetim, duke theksuar se kërkesa e PDK-së e datës 30 prill nuk mund të krijonte përparësi procedurale, pasi në atë kohë Komisioni Komunal i Zgjedhjeve (KKZ) në Prishtinë ende nuk ishte konstituar.
Pas shqyrtimit të pretendimeve ankimore, përgjigjes në ankesë dhe të gjitha shkresave të lëndës, Gjykata Supreme vlerësoi se ankesa është e pabazuar dhe se vendimi i PZAP-së është i drejtë, i ligjshëm dhe i mbështetur në dispozitat përkatëse të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Rregullores Zgjedhore Nr. 07/2024 për Fushatën e Zgjedhjeve, Monitorimin e Fushatës dhe Deklarimin Financiar.
“Gjykata Supreme konstatoi se Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në Prishtinë kishte vepruar në përputhje me nenin 4 të Rregullores Nr. 07/2024, sipas të cilit KKZ mund të refuzojë kërkesën e një subjekti politik në rast se hapësira e kërkuar është rezervuar më parë nga një subjekt tjetër politik”, thuhet në vendim.
Në vendim sqarohet tutje se nga shkresat e lëndës rezulton se PDK-ja kishte dorëzuar kërkesën për mbajtjen e tubimit politik në Sheshin “Skënderbeu” më 30 prill, ndërsa LVV-ja kishte paraqitur kërkesën më 8 maj për të njëjtën datë dhe lokacion.
“Gjykata vlerësoi se Rregullorja Nr. 07/2024 përcakton vetëm afatin e fundit për paraqitjen e njoftimeve për tubime politike dhe nuk parasheh kufizime lidhur me kohën e paraqitjes së kërkesave para funksionalizimit të KKZ-së”, sqaroi gjykata.
Po ashtu, Gjykata Supreme vlerësoi se pretendimet e LVV-së lidhur me mungesën e arsyetimit të vendimit të PZAP-së janë të pabazuara, pasi theksoi se PZAP-ja kishte trajtuar në mënyrë të mjaftueshme çështjen e funksionalizimit të KKZ-së dhe kishte dhënë arsye të qarta juridike mbi bazën e dispozitave të zbatueshme.
“Si rrjedhim, Gjykata Supreme konstatoi se gjendja faktike është vërtetuar drejt, se nuk janë konstatuar shkelje procedurale apo zbatim i gabuar i ligjit dhe se pretendimet ankimore të subjektit politik LVV nuk janë mbështetur me prova relevante. Ndaj, ankesa u refuzua si e pabazuar, ndërsa vendimi i PZAP-së është lënë në fuqi”, thotë vendimi i Supremes.



