
Ish-kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka paralajmëruar që në seancën e sotme do të procedohet me kandidatët e Listës Serbe për pozitën e nënkryetarit, si dhe ka treguar se do të marrë detyrën e Ministrit të Jashtëm.
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se gjatë seancës së sotme pritet të konstituohet Kuvendi i ri i Kosovës. Lajmin e ka bërë të ditur gazetari i T7, Çlirimtar Morina, para nisjes së seancës plenare.
Konjufca tha se procesi për zgjedhjen e nënkryetarit të pestë të Kuvendit do të vazhdojë me të gjithë kandidatët e Listës Serbe, deri në shterimin e mundësive për kandidim, me qëllim që në fund të arrihet te emri i Nenad Rashiqit.
“Sot do të procedohet me të gjithë kandidatët e Listës Serbe derisa të shpenzohen të gjitha mundësitë, me synimin që të arrihet tek Nenad Rashiq,” është shprehur Konjufca.
Ai gjithashtu ka paralajmëruar formimin e shpejtë të Qeverisë së re, duke konfirmuar se vetë do të marrë pozitën e Ministrit të Punëve të Jashtme.
“Pas konstituimit të Kuvendit, shumë shpejt do të formohet edhe Qeveria e re,” ka shtuar ai.



