
Ish-deputeti dhe ish-bashkëpunëtori i Shpend Ahmetit, Haki Abazi, ka reaguar ashpër pasi ish-kryetari i Prishtinës u dënua me dy vjet burgim dhe gjobë për mosdeklarim të pasurisë.
Përmes një shkrimi të gjatë, Abazi e ka quajtur Ahmetin “hajn, gënjeshtar dhe frikacak”, duke thënë se ai ka tradhtuar shpresën që qytetarët kishin investuar tek ai.

“Një diplomë nga Harvardi nuk mund të zëvendësojë guximin për të vdekur për qytetin, për vendin. E kam themeluar GAP-in me të, sot më ka borxh me mijëra euro të marra hua dhe të pakthyera kurrë. Hajn, gënjeshtar dhe frikacak!”, ka shkruar Abazi.
Ai pretendon se rënia e Ahmetit nisi gjatë mandatit të dytë si kryetar i Prishtinës, kur, sipas tij, urbanizmi u shndërrua në biznes.
“Fenomeni Shpend Ahmeti nuk ishte njeriu. Ishte projeksioni ynë qytetar… Në mandatin e dytë, urbanizmi pushoi së qeni profesion dhe u bë biznes. 172,600 arsye pse u rrëzua simboli”, ka shkruar ai.
Abazi e ka krahasuar Ahmetin me ish-drejtorin e Urbanizmit, Rexhep Luci, duke thënë se ky i fundit “vdiq i varfër duke mbrojtur planin urbanistik”, ndërsa Ahmeti po përballet me drejtësinë për pasuri të padeklaruar.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Ahmeti nuk ka deklaruar 172 mijë e 600 euro, përfshirë 118 mijë e 200 euro depozita në para të gatshme dhe 54 mijë e 400 euro në llogaritë e nënës së tij.
Në fund të reagimit, Abazi kritikon edhe vendimin e gjykatës, duke thënë se një dënim pa burg efektiv dhe pa konfiskim të pasurisë “legalizon korrupsionin”, ndërsa shton se “e kemi vrarë vetë shpresën që e krijuam”.



