
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe kandidati i kësaj partie për kryeministër, Ardian Gjini, janë emocionuar gjatë pjesëmarrjes në përvjetorin e rënies së dëshmorëve në Jabllanicë të Gjakovës.
Në pamjet e publikuara nga Indeksonline, Haradinaj dhe Gjini shihen me lot në sy gjatë ceremonisë përkujtimore.
Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, kujtoi betejën e 17 majit 1999 në Shqiponjë, duke e cilësuar si një nga momentet kyçe të luftës çlirimtare.
“Fitorja e madhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 17 maj 1999 në Shqiponjë, u shndërrua në testament kombëtar të mbrojtjes së nderit të Atdheut”, shkroi ai.
Sipas Haradinajt, kjo fitore u reflektua në gjithë Kosovën dhe brenda pak javësh vendi u çlirua.
Ai tha se gjatë ceremonisë u nderuan dëshmorët dhe të rënët që, sipas tij, mbeten udhërrëfyes për Kosovën.



