Hoti kritikon mediat për pamjet e dhunës ndaj fëmijës: Nuk i shërbejnë informimit të publikut

Ministri në detyrë i Familjes dhe Mirëqenies Sociale, Andi Hoti, u ka bërë thirrje mediave që të tregojnë kujdes maksimal gjatë raportimit të rasteve të dhunës ndaj fëmijëve, duke kërkuar që të mos publikohen pamjet ku shihet momenti i dhunës.

Hoti ka thënë se shteti dhe shoqëria kanë obligim t’i mbrojnë fëmijët dhe se mediat kanë rol të rëndësishëm në këtë drejtim.

banner

“Si shtet, por edhe si shoqëri, kemi obligim t’i ruajmë dhe t’i mbrojmë fëmijët. Në këtë përgjegjësi, mediat kanë një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm.

Publikimi i pamjeve ku një fëmijë dhunohet brutalisht nuk i shërben informimit të publikut. Përkundrazi, ekspozimi dhe shpërndarja e atyre pamjeve e viktimizon fëmijën edhe një herë dhe mund t’i shkaktojë pasoja që shkojnë shumë përtej momentit kur lajmi është publikuar.

Raportimi mund të bëhet pa e ekspozuar momentin më të rëndë të një fëmije para mijëra njerëzve”, ka shkruar Hoti.

Ai ka theksuar se e drejta për informim nuk duhet të cenojë privatësinë, dinjitetin dhe interesin më të mirë të fëmijës.

“Prandaj, apeloj te të gjitha mediat që në raste të tilla të tregojnë kujdes maksimal. Dhuna duhet të raportohet, por pa e shndërruar vuajtjen e një fëmije në përmbajtje publike. E drejta për të informuar nuk duhet të vijë në kurriz të privatësisë, dinjitetit dhe interesit më të mirë të fëmijës.

Lajmi i sotëm nesër harrohet. Pamjet në internet mund të mbeten, e bashkë me to edhe pasojat për fëmijën”, ka shkruar Hoti.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.