
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për deputet, Enver Hoxhaj, ka thënë se akuza që ka bërë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ndaj kryetarin e Skenderajt Sami Lushtaku, se ka dashur ta godasë eskortën e tij gjatë fushatës në Skenderaj për zgjedhjet e shkurtit 2025, është jashtë çdo imagjinate.
Hoxhaj në emisionin “Konfront” të KTV-së ka thënë se si parti politike për këtë rast u besojnë institucioneve, por e ka ftuar Kurtin, siç ka thënë, të mos e përçajë e polarizojë shoqërinë dhe sipas tij, “krejt për çfarë njihet Kurti në karrierën e tij politike, është që e ka sjell në kulturën politike të Kosovës, dhunën si koncept politik”.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që më 7 qershor të vendosin gishtin në kohë dhe të mendojnë se kë e kanë zgjedhur kryeministër.
“Unë kam qenë për 15 vjet në Qeveri, edhe zëvendëskryeministër, edhe ministër i Jashtëm, edhe ministër i Arsimit, unë nuk mund ta imagjinoj një botë ku unë them që dikush bëri përpjekje të më zë pritë në formën se si po bën zotëri Kurti. Prandaj i ftoj qytetarët e Kosovës që më 7 qershor ta vendosin gishtin në kokë se kë e kanë zgjedhur kryeministër të vendit. A e meriton Republika e Kosovës dikë, i cili çfarëdo që ka ndodhur në këtë vend, ka qenë kundër çdo trendi pozitiv dhe sot përmes një koncepti puro bolshevik, synon që përsëri ta fitojë pushtetin në Kosovë”, është shprehur Hoxhaj.



