
Analisti politik thotë se rasti i Shehollit është ndër më të fortët, pasi bëhet fjalë për një person që dikur ka punuar për sigurimin shtetëror serb.
Analisti politik, Ilir Deda, ka komentuar arrestimin e Fatmir Shehollit, duke e cilësuar këtë si një nga rastet më serioze të hetimeve për spiunazh në Kosovë.
Në një intervistë për Klan Kosova, Deda tha se akuzat për spiunazh duhet të provohen në mënyrë të saktë sipas Kodit Penal, por shtoi se duket që Sheholli i është kthyer bashkëpunimit me Agjencinë e Inteligjencës Serbe (BIA).
“Duket që akuza për spiunazh duhet të dëshmohet në mënyrë shumë të saktë sipas Kodit Penal dhe duket që Fatmiri është kthyer në bashkëpunim me BIA-n. Kjo ka të bëjë me rrjedhjen e videove që lidhen me luftën kundër Nenad Rashiqit dhe të tjerëve që nuk janë në një linjë me Listën Serbe, në prag të zgjedhjeve lokale,” tha Deda.
Sipas tij, Prokuroria Speciale e Kosovës duhet të dëshmojë veprimtari aktive për ta mbështetur akuzën.
“Besoj që ata kanë prova dhe do t’i marrim vesh të gjithë,” shtoi ai.
Deda gjithashtu kritikoi mënyrën se si politika kosovare, sipas tij, e ka rehabilituar figurën e Shehollit gjatë viteve të fundit.
“Politika kosovare e ka rehabilituar emrin e tij, nuk e di pse, por do të kuptohet në vazhdim pse është bërë kjo — si me shumë të tjerë që i dimë e shumë të tjerë që nuk i dimë,” përfundoi Deda.



