
Policia konfirmon se Fetahaj ka pësuar lëndime të lehta trupore; i dyshuari është përfaqësuesi i PDK-së në Komisionin Komunal Zgjedhor, Berat Hadri.
Një incident fizik ka ndodhur pasditen e sotme në hyrje të objektit të Komunës së Gjakovës, ku janë përfshirë nënkryetari i komunës, Flamur Fetahaj, dhe përfaqësuesi i PDK-së në Komisionin Komunal Zgjedhor (KKZ), Berat Hadri. Lajmi është raportuar ekskluzivisht nga Gazeta Sinjali dhe është konfirmuar edhe nga Policia e Gjakovës.
Sipas Policisë, rreth orës 16:10 është raportuar për një përleshje fizike në afërsi të objektit komunal, ku një zyrtar komunal – në këtë rast nënkryetari i komunës – është sulmuar nga një person tjetër, i identifikuar si Berat Hadri.
“Zyrtari në fjalë ka pranuar trajtim mjekësor dhe, sipas raporteve mjekësore, ka pësuar lëndime të lehta trupore,” thuhet në njoftimin e Policisë.
Hetimet e para tregojnë se incidenti nuk ka prapavijë politike, por dyshohet se ka ndodhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje të mëhershme ndërmjet Fetahajt dhe Hadrit.
“Aktualisht jemi në kërkim të personit të dyshuar dhe janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e rastit,” ka konfirmuar Policia për Gazetën Sinjali.



