Iseni: Suspendohen policët që dyshohet se rrahën të rinjtë shqiptarë në Shkup

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Astrit Iseni, ka njoftuar se gjashtë zyrtarë policorë do të suspendohen dhe ndaj tyre do të nisë procedurë disiplinore, pas parregullsive të konstatuara në veprimet e tyre gjatë ngjarjes së 7 tetorit në Shkup.

Iseni tha se Kontrolli i Brendshëm i ka shqyrtuar incizimet, deklaratat e dëshmitarëve dhe rezultatet e kontrolleve lidhur me rastin.

“Pas shqyrtimit të incizimeve, deklaratave të dëshmitarëve dhe kontrolleve për ngjarjen e 7 tetorit në Shkup, Kontrolli i Brendshëm ka konstatuar një sërë parregullsish në veprimet e punonjësve policorë.

6 policët do të suspendohen, ndërsa ndaj tyre do të fillojë procedurë disiplinore”, ka deklaruar ai.

Zëvendësministri shtoi se po veprohet edhe sipas urdhrave të prokurorive kompetente për ekspertizën dhe dokumentimin e plotë të provave, mbi bazën e të cilave do të përcaktohet nëse ka përgjegjësi penale.

“As uniforma, as funksioni dhe as përkatësia nuk e përjashtojnë askënd nga zbatimi i ligjit”, tha Iseni, duke shtuar se qytetarët meritojnë “siguri, dinjitet dhe një polici që e ushtron autoritetin me profesionalizëm”.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.