Kamberi kritikon Vuçiqin: Me gjuhë të urrejtjes synon ruajtjen e stereotipeve për shqiptarët si “armiq shekullorë”

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka akuzuar Aleksandar Vuçiqin, se po e sulmon listën e përbashkët të partive shqiptare, duke thënë se kjo çështje duhet të shihet përtej numrit të mandateve që mund të fitojë koalicioni shqiptar në zgjedhjet e 25 tetorit, shkruan KOHA.

Kamberi ka ngritur pyetjen se pse Vuçiqi është kaq i shqetësuar me bashkimin e partive shqiptare në një listë të përbashkët parlamentare.

“Pse A. Vuçiq paraqitet aq i shqetësuar me bashkimin e partive shqiptare në një listë të përbashkët? Kjo sjellje e tij duhet parë përtej numrit të mandateve që mund të fitojë Koalicioni shqiptar”, ka shkruar Kamberi.

Postimi i plotë:

Ditëve të fundit, si listë e përbashkët parlamentare shqiptare jemi vënë nën thumbin e sulmeve të ish presidentit serb. Pse A. Vuçiq paraqitet aq i shqetësuar me bashkimin e partive shqiptare në një listë të përbahkët?

Kjo sjellje e tij duhet parë përtej numrit të mandateve që mund të fitojë Koalicioni shqiptar.

Çështja nuk është domosdoshmërisht sa deputetë shqiptarë do të hyjnë në Parlament, por çfarë do të përfaqësojnë ata politikisht dhe çfarë mund të bëjnë me atë përfaqësim.

Nëse lista jonë është certifikuar nga Komisioni republikan zgjedhor në përputhje me procedurat ligjore, atëherë akuzat e tij si “armiqë” nuk janë thjesht kritikë ndaj një kundërshtari politik.

Është një mënyrë për ta zhvendosur debatin nga konkurrenca zgjedhore te çështja e lojalitetit ndaj shtetit, duke e paraqitur një kundërshtar politik si kërcënim për shtetin.

Kur një ish-president dhe kandidat për kryeministër e paraqet një listë zgjedhore të pakicës kombëtare si armike, ai e zhvendos debatin nga programi, të drejtat dhe rezultatet te lojaliteti ndaj tij e partisë shtet.

Ky narracion i ndërtuar prej tij ka për qëllim të ndaj listës tonë, të ushtrojë presion politik mbi partitë dhe kandidatët e tjerë që mund të bashkëpunojnë me ne dhe të përgatisë terrenin që çdo kritikë e jona ndaj qeverisë të interpretohet si veprim kundër interesave të Serbisë. Një taktikë e njohur e polarizimit politik.

Në deklaratat e tij të fundit para zgjedhjeve, Vuçiqi ka folur edhe për shërbime të huaja dhe për mbështetjen e pretenduar të kundërshtarëve nga aktorë të jashtëm.

Në këtë kontekst, një listë shqiptare që synon përfaqësim më të fuqishëm, që kërkon barazi dhe që bashkëpunon politikisht me përfaqësues nga Kosova, po përdoret për ta ushqyer narrativën e tij se Serbia po përballet me presione nga jashtë.

Ky narracion i tij, me gjuhë të urrejtjes e luftënxitës, ka për qëllim të ruajë stereotipet e kahershme ndaj shqiptarëve, si “armiq shekullorë”.

Për një pushtet që është mësuar të negociojë me përfaqësues të pakicave përmes marrëdhënieve të varësisë politike, një përfaqësim shqiptar i bashkuar, kritik dhe i pavarur mund të jetë më i vështirë për t’u menaxhuar sesa një numër më i madh deputetësh që janë të gatshëm të përshtaten me pushtetin.

Një ose dy, tre apo e më shumë deputet mund të kenë ndikim të kufizuar në votimin e ligjeve, por mund të kenë ndikim shumë më të madh në tri fusha:

a) Në Parlament: duke ngritur çështje që qeveria do të preferonte t’i mbante jashtë debatit, sic është pasivizimi adresave, diskriminimi e nënpërfaqësimi.

b) Në arenën ndërkombëtare: duke dokumentuar diskriminimin dhe duke ua paraqitur institucioneve evropiane, OSBE-së, Këshillit të Evropës, NATO, QUINT dhe Kongresit e State Departamentit Amerikan.

c) Në debatin e polarizuar politik serb: duke dëshmuar se ekziston një përfaqësim shqiptar që nuk identifikohet me politikën e qeverisë.

Pra, ndikimi i deputetit nuk matet vetëm me votat që ka në Parlament, por edhe me aftësinë për ta bërë një problem të brendshëm çështje të përgjegjësisë institucionale dhe ndërkombëtare.

Natyrisht, Vuçiqi dëshiron që qytetarët ta shohin politikën e tij si përfaqësuesen e vetme legjitime të interesave të shtetit serb.

Në një klimë të tillë, kundërshtari nuk paraqitet thjesht si dikush që ka një program tjetër, por si dikush që pretendohet se po punon kundër vendit.

Përmes këtij narracioni ai po tenton me zhvendos pyetjen nga çështja pse nuk po zgjidhen problemet e shqiptarëve në çështjen: Pse po kërkojnë shqiptarët këto të drejta dhe kujt po i shërbejnë?

Kështu ai e vendos pakicën në pozitën e të akuzuarit dhe e largon vëmendjen nga detyrimet e shtetit sidomos nga katër marrveshjet e nënshkruara (2001, 2009, 2013 dhe 2022) të cilat, Serbia, nuk po i respekton.

Këtë përpjekje të tij nuk duhet me automatizëm ta kuptojmë si shenjë se Vuçiqi ka frikë nga humbja e pushtetit për shkak të dy apo tre deputetëve shqiptarë, por, si një përpjekje për të kontrolluar paraprakisht kuptimin politik të pranisë tonë të shtuar në Parlament.

Kërkesa jonë për përfaqësim që kërkon zbatimin e ligjeve, barazi institucionale dhe përgjegjësi shtetërore, e vën Vuçiqin përballë argumenteve tona për diskriminimin e organizuar shtetëror.

Nëse na paraqet si armiq, ai përpiqet ta zhvendosë debatin në një terren ku nacionalizmi dhe siguria kombëtare zënë vendin e të drejtave dhe përgjegjësisë politike.

Një listë që ai mund ta mposhtë lehtësisht në numra, mund të jetë shumë më e vështirë që të neutralizohet në planin politik dhe diplomatik, nëse ajo listë, ruan pavarësinë, disiplinën dhe besueshmërinë e saj.

Prandaj ai flet se “nuk do të lejojë”, ta ndërkombtarizojmë temën e shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.