
Ish-deputeti i LDK-së, Gani Geci, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe Partinë Demokratike të Kosovës se, sipas tij, për vite me radhë kanë zhvilluar “luftë speciale” kundër LDK-së dhe e kanë kritikuar kur ajo ka kërkuar drejtësi për viktimat e saj të luftës dhe të pasluftës.
Në një reagim, Geci tha se LVV-ja, para se të vinte në pushtet, kërkonte zbardhjen e rasteve të Bejadin Allaqit dhe Astrit Deharit, por se, sipas tij, qëndrimi i saj ndryshoi pas aktgjykimit për rastin e Allaqit.
“Pasi LVV-ja erdhi në pushtet dhe pas shpalljes së aktgjykimit për Bejadin Allaqin, Albin Kurti, bashkë me LVV-në, i kanë shti veshët në lesh. Nuk po guxojnë të thonë, të paktën, se Bejadin Allaqi dhe Astrit Dehari nuk janë gjallë”, shkroi Geci.
Ai iu referua edhe aktgjykimit për rastin e Allaqit dhe pretendoi se në të janë përdorur dëshmi të fshehta të anëtarëve të LVV-së. Geci gjithashtu e akuzoi PDK-në dhe LVV-në se janë “pjellë e LPK-së” dhe se, sipas tij, dinin për veprimet e njëra-tjetrës.
Geci kërkoi që familjarët e viktimave të LDK-së të mos akuzohen, duke thënë se viktimat e partisë së tij u vranë në rrethana të ndryshme, përfshirë në pragjet e shtëpive dhe gjatë rrugës për në punë ose kthimit nga puna.
“Viktimat e LDK-së, prej varrit, po kërkojnë drejtësi”, shkroi ai.
Në fund të reagimit, Geci tha se LDK-ja nuk i bashkoi votat me LVV-në dhe PDK-në, duke i cilësuar ato si “të njëjta”. Ai përfundoi me një shprehje fyese ndaj politikanëve që, sipas tij, bëjnë gjithçka për pushtet.



