
Qeveria daneze ka paraqitur një projektligj që do t’u lejojë mësimdhënësve të ndërhyjnë fizikisht në disa situata me nxënësit, përfshirë rastet kur ata pengojnë rëndë mësimin ose cenojnë psikologjikisht të tjerët.
Sipas Ministrisë daneze të Arsimit, ndërhyrja mund të përdoret edhe kur nxënësi rrezikon veten apo të tjerët, ushtron dhunë fizike ose dëmton pronën. Ajo duhet të jetë masë e fundit, pasi të jenë provuar mundësi të tjera, dhe të jetë proporcionale, sa më e butë dhe sa më e shkurtër.
Projektligji u paraqit më 8 tetor në parlamentin danez. Nëse miratohet, rregullat e reja pritet të hyjnë në fuqi në gusht të vitit 2027. Propozimi ende nuk është miratuar.



