
Kandidati i VLEN-it për Çairin, Izet Mexhiti, ka ftuar publikisht rivalin e tij nga BDI-ja, Bujar Osmanin, në një debat të hapur televiziv, duke e akuzuar për frikë dhe mungesë transparence.
Kandidati i VLEN-it për komunën e Çairit, Izet Mexhiti, ka sfiduar publikisht kundërshtarin e tij politik nga BDI-ja, Bujar Osmanin, duke e ftuar në një debat të hapur televiziv.
Përmes një reagimi në rrjete sociale, Mexhiti e akuzoi Osmanin se po shmanget nga ballafaqimi publik dhe se po e luan rolin e “aktorit politik”.
“E ftova publikisht, iku. S’ka lidhje, mirë që qenka trimnu. E ftoj Bujar Osmanin në duel. Mos bëj teatër! Zgjedh vetë vendin dhe kohën, unë do jem aty!”, ka shkruar Mexhiti.
Ai ka shtuar se Osmani nuk mund të flasë për “guxim dhe transparencë” nëse nuk pranon përballjen e drejtpërdrejtë.
“Z. Osmani e di edhe vet që gënjen, ndaj e ftoj të përballemi publikisht ku të dojë, në cilin do televizion,” theksoi Mexhiti.
Sipas tij, ministri i Punëve të Jashtme dhe kandidati i BDI-së për Çair po përpiqet të fshehë dështimet e qeverisjes së BDI-së pas “lojës politike” dhe deklaratave boshe.
“Këtë herë publiku e ka kuptuar qartë kush po ikën nga debati dhe kush po e kërkon përballjen e hapur,” përfundoi Mexhiti.



