Kandidati i Listës Serbe për Zubin Potokun, i dyshuar për përfshirje në sulmin terrorist në Banjskë

Pamje të siguruara nga Policia e Kosovës tregojnë Millosh Peroviqin të armatosur dhe të maskuar gjatë sulmit të 24 shtatorit; lidhjet e tij me Milan Radojiçiq konfirmohen edhe nga kryetari aktual i komunës.

Partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, ka hyrë në garën për zgjedhjet lokale, ku ndër kandidatët për kryetar të Zubin Potokut është edhe Millosh Peroviq.

banner

Sipas burimeve të Tëvë1, Peroviq dyshohet se ka qenë pjesë e grupit terrorist të Milan Radojiçiq më 24 shtator, gjatë sulmit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit. Televizioni ka siguruar pamje nga droni i Policisë, ku shihet një person i maskuar dhe i armatosur rëndë në oborrin e manastirit të Banjskës, që dyshohet të jetë pikërisht kandidati i Listës Serbe.

Dyshimet për lidhjet e Peroviqit me Radojiçiqin forcohen edhe nga një fotografi e vitit 2023 në Beograd, ku ai shihet pranë kryeterroristit serb.

Kryetari aktual i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, konfirmoi për Tëvë1 se Peroviq është një person i afërt i Radojiçiqit dhe njeri kyç në Listën Serbe.

“Millosh Peroviq është një sejmen i linjave të kryeterroristit Radojiçiq, pasi kanë qenë prej kohësh bashkëpunëtorë. Ai është i komprometuar në afera të ndryshme korruptive dhe keqbërje ndaj qytetarëve. Mirëpo, kjo mbetet çështje e organeve të drejtësisë,” tha Zeqiri, duke shtuar se Lista Serbe vazhdon të veprojë në kundërshtim me ligjet e Kosovës.

Sipas tij, edhe lista e kandidatëve për asamblistë e kësaj partie përbëhet nga persona të afërt me Radojiçiqin.

“Edhe bartësi i listës, Sergjan Vulloviq, është pjesë e së njëjtës linjë të Radojiçiqit,” deklaroi Zeqiri.

Tëvë1 njofton se ka kërkuar një qëndrim nga Lista Serbe, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka marrë përgjigje. Po ashtu, televizioni i është drejtuar Policisë së Kosovës për të pyetur nëse po hetohet rasti i Peroviqit, por nuk ka marrë konfirmim.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.