
Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, i ka reaguar ministrit të Brendshëm serb Ivica Daçiq, pasi ky i fundit tha se dënimi i ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale e bën Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës “organizatë kriminale”.
Kandiq ka theksuar se ishte politika e partisë së Daçiqit që rezultoi në varreza masive të shqiptarëve të vrarë.

“SPS= varreza masive në Serbi. Për t’ia kujtuar ministrit Daçiq se politika e Partisë së tij Socialiste të Serbisë ka rezultuar në varre masive me shqiptarë të vrarë në Batajnicë, Petrovo Sello, Rudnicë, Kizhevak dhe Liqenin Peruçac, dhe ky është një fakt i vërtetuar”, i ka thënë ajo Daçiqit.
Gjykata Speciale të martën ka dënuar me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, me 18 vjet burgim Kadri Veselin dhe me 13 Rexhep Selimin.



