
Blerim Shala, ish-politikan dhe ish-gazetar, ka folur në lidhje me kërcënimin që George H. W. Bush, ish-presidenti i ShBA-së, ia bëri Serbisë në vitin 1992 në lidhje me Kosovën.
Në podcasting “Pikë”, që udhëhiqet nga shkrimtari dhe publicist Veton Surroi, Shala ka vlerësuar se ky kërcënim, i njohur gjerësisht si “Kërcënimi i Kërshëndellave”, ishte brutal.
Sipas Shalës, shkruan Koha, në vjeshtën e vitit 1992, pala amerikane i kishte informuar se po përgatitej një vendim i jashtëzakonshëm për Kosovën, i cili do të materializohej në atë që u quajt më vonë “Kërcënimi i Kërshëndellave” – një kërcënim unilateral i SHBA-së ndaj Serbisë, pa u thirrur në NATO apo në ndonjë mekanizëm tjetër ndërkombëtar.
Shala theksoi se ky kërcënim nuk erdhi “nga qielli”, por ishte rezultat i analizave strategjike të institucioneve më të larta amerikane, si dhe i zhvillimeve të reja politike në Serbi, ku paraqitja e Milan Paniqit krijoi rrezik real për humbjen e pushtetit nga Millosheviqi.



