
Deputeti Albert Kinolli vlerëson si historik nominimin e Sejnur Veshallit për postin e ministrit.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Albert Kinolli, ka përshëndetur si historik propozimin e Sejnur Veshallit për postin e ministrit, duke u bërë kështu përfaqësuesi i parë i komunitetit rom në një kandidaturë të tillë në vend.
Kinolli tha se PREBK ka ngritur zërin dhe ka sjellë këtë çështje para institucioneve qendrore, duke hapur dyert e shpresës dhe barazisë për të gjithë romët e Kosovës. Ai e konsideron këtë hap një dëshmi që ndryshimi nis nga guximi dhe se çdo komunitet meriton të dëgjohet, të përfaqësohet dhe të respektohet.
“Sot, romët e Kosovës ndihen të privilegjuar, të vlerësuar dhe më pranë institucioneve se kurrë më parë. Kjo është pikërisht ajo për të cilën kanë folur dhe ëndërruar për vite të tëra të rinjtë e komunitetit rom, që zëri i tyre të arrijë deri në zemër të vendimmarrjes,” tha Kinolli.



