
Profesori universitar kritikon ashpër idenë për t’i dhënë çmim nderi kryeministrit Kurti, duke kujtuar ngjarjet e dhunshme ndaj Universitetit të Prishtinës.
Profesori universitar, Milazim Krasniqi, ka reaguar pas raportimeve se planifikohet t’i ndahet një çmim nderi liderit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, nga Universiteti i Prishtinës.
Në një reagim publik, Krasniqi ka kujtuar ngjarjet e viteve të kaluara, që sipas tij, kanë qenë shprehje e dhunës ndaj institucionit më të lartë arsimor në vend.
“Albin Kurti dhe LVV njihen si dhunues brutalë të Universitetit të Prishtinës. Sulmi ndaj ish-rektorit Mujë Rugova në kremten e Universitetit ka qenë poshtërim për gjithë universitetin. Si sot mbaj mend fytyrat e Naim Tërnavës, Rifat Jasharit, Islam Laukes, të bëra sterrë nga dëshpërimi, nga ai akt vandal i aktivistëve të LVV,” ka shkruar Krasniqi.
Ai ka përmendur edhe protestën e vitit 2015 në oborrin e Universitetit të Prishtinës, të cilën e ka cilësuar si “dhunim brutal të autonomisë së universitetit” dhe “tentativë për shkaktim gjakderdhjeje”.
“Nëse në këtë universitet i jepet çmim liderit të LVV, Albin Kurtit, i bie që po shpërblehet dhuna, po vlerësohet vandalizmi,” ka përfunduar Krasniqi.



