
Kreu i PDK-së thotë se askush nuk ka shumicë dhe Presidentja duhet t’i thërrasë partitë pa vonesa për ta çuar vendin në zgjedhje.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se PDK nuk do të marrë mandatin për krijimin e Qeverisë, pasi asnjë parti nuk ka shumicën parlamentare. Ai ka kërkuar që Presidentja Vjosa Osmani t’i ftojë menjëherë partitë politike për konsultime, me qëllim që të shmangen vonesat dhe vendi të shkojë sa më shpejt në zgjedhje.
“Në kuptimin formal, Presidentja do të duhej të na kontaktonte qysh tash. Ma merr mendja që secili prej nesh që mund të ftohemi, do t’i thojmë që s’e kemi shumicën, andaj t’i ndërmerr veprimet… Jo, s’mundemi me marr mandat. Duhen 61 numra”, ka thënë Krasniqi në një intervistë për Klan Kosova.
Ai shtoi se nuk ka nevojë të pritet afati prej 10 ditësh, duke theksuar se “s’duhet me pritë 10 ditë” për të zbatuar hapat kushtetues. Sipas tij, nëse edhe tentativa e dytë për formimin e qeverisë dështon, shpërndarja e Kuvendit bëhet automatikisht.
Krasniqi rikujtoi se më herët ka pasur tentime nga eksponentë të Vetëvendosjes për të bindur deputetë të PDK-së që të votonin qeverinë, tentativa që sipas tij kanë dështuar plotësisht.
Ndryshe, edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pranuar sot se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja.



